Jump to content

Radovan Zogoviq

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Radovan Zogoviq (19 gusht 1907, Mashnicë - 4 janar 1986, Beograd)[1] ishte poet, përkthyes, publicist, veprimtar politik dhe akademik malazez.[2]

U lind më 19 gusht të vitit 1907, në fshatin Mashnicë dhe u shkollua në Pejë, ku ishte vendosur familja e tij gjatë fushatës së kolonizimit të Kosovës me banorë sllavë. Më tej ndoqi studimet në Beograd, ku hyri në lëvizjen komuniste dhe bashkëpunoi me revistat përparimtare të kohës. Morri pjesë në Luftën ANÇ, duke u bërë njëri nga udhëheqsëit e lartë të saj në Jugosllavi. Në vitin 1948 u gjykua si "informbyroist", u përjashtua nga radhët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) si dhe iu hoq e drejta e botimit. Krijimtarinë letrare e pati filluar në vitet `30. Përmbledhja e parë me poezi "Grushti" u botua në vitin 1936, e cila u pasua më veprën "Pëllumbat e flaktë" (1937), e që u ndalua dhe u konfiskua nga policia për shkak të ciklit prej 12 vjershash me titull "Ardhësit. Këngët e Ali Binakut", që përfshihej në të. Fati tragjik i shqiptarëve të Kosovës, por edhe qëndresa e tyre përballë dhunës, jepet me ndjenjë e frymëzim nëpërmjet të figurës së Ali Binakut, që personifikon fshatarin tipik shqiptar të Kosovës. Vetë autori e ka karakterizuar këtë vepër si një "dokument lirik të vuajtjeve të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi" dhe si një "protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe". Disa nga vjershat e ciklit "Këngët e Ali Binakut" u botuan shqip pas Luftës së Dytë Botërore, në revistën letrare të Prishtinës "Jeta e re" (1949), kurse i plotë ai u botua në vitin 1968, nën përkthimin e Esad Mekulit. Vdiq më 4 janar të vitit 1986, në Beograd, ndërsa u varros, sipas amanetit që pati lënë, në një fshat pranë Deçanit.[3]

  1. ^ Zogoviqi i Ali Binakut, 5 November 2014, Arkivuar 20 nëntor 2018 tek Wayback Machine http://zeri.info/ 9.07.2016.
  2. ^ Uz stogodišnjicu rođenja Radovana Zogovića, http//montenegrina.net, 9.07.2016.
  3. ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2994.