Pjer Abelardi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Pjer Abelardi (ABÉLARD, Pierre), filozof francez (1079 -1142), u lind më 1079 në Pale, pranë Nantës, në një familje të fisnikërisë së vogël. Formimin e tij "universitar" e nisi që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Në fillim shkoi në shkollën filozofike të "nominalistit" të famshëm Roselën dë Kampienjë, para se të shkonte më 1100 në Paris, në shkollën e kundërshtarit të tij intelektual, "realistit" Gijom dë Shampo (1070-1121). Kritika e mprehtë ndaj mësimeve të mësuesit të tij të ri e detyroi shumë shpejt ta braktiste edhe këtë shkollë, për të dhënë vetë mësim në Melën, pastaj në Korbeil. Abelardi shkoi në Paris rreth moshës tridhjetëvjeçare dhe hapi në malin Sent Zhenevievë, në zemër të lagjes së sotme "Latën", shkollën e vet filozofike. Më 1115 u bë drejtori i shkollës së katedrales Notre-Dame, ku dha me shumë sukses mësim. Këtu filloi dhe lidhja e tij me njërën nga nxënëset e tij të shkëlqyera, Heloizën, mbesën e kanonikut Fylber. Nga kjo lidhje lindi një djalë, Astrolabi, dhe dy të dashuruarit u martuan fshehurazi. Por mbasi futi Heloizën në manastirin e Arzhentëilit, xhaxhai i saj, Fylberi, e kujtoi si të ndarë dhe, për të vënë në vend nderin që mendonte se ishte përdhosur, në një nga netët e vitit 1118, urdhëroi që Aberaldi fatkeq të kapej dhe të tridhej. Filozofi, i trajtuar në këtë mënyrë, u tërhoq në manastirin e Sen-Denisit, pranë Parisit. Historia e fatkeqësive të mia (Historia calamitatum mearum), shkruar nga Abelardi më 1135 dhe letërkëmbimi i tij me Heloizën, i bënë një nga çiftet më të njohura të letërsisë. Historia e tyre frymëzoi shumë vepra në shekujt që pasuan. Abelardi e vazhdoi veprimtaritë e tij shkencore në manastir. Në përpjekjen e tij për të pajtuar besimin dhe arsyen në teologjinë e tij, u përplas shumë herë me armiqësinë e hapur të teologëve ortodoksë të Kishës dhe sidomos me kryemurgun me shumë ndikim (shenjtin e ardhshëm), Bernar de Klervo, që mbronte pastërtinë e doktrinës. Më 1121, në Suason, Bernari arriti ta dënonte për herë të parë Abelardin për herezi. Më pas, si në manastir ashtu edhe në përpjekjet e shumta për t'u kthyer në Paris si mësues teologjie dhe filozofie, Abelardi u ndesh me kundërshtarë të egër. Një proces i ri fetar, mbajtur më 1140, këtë herë në Sans, përfundoi me një dënim të dytë, që e detyronte të digjte librat e veta me dorën e tij. Kur po shkonte në Romë për të mbrojtur çështjen e tij te Papa, Abelardi u sëmur dhe u prit nga Pjer lë Venerablë në manastirin e Klynit, ku vdiq më 21 prill 1142. Përveç veprës së titulluar Sic et non (Po dhe jo, midis viteve 1121 dhe 1140), që e bën një nga themeluesit dhe përfaqësuesit e metodës skolastike, janë edhe shkrimet e tij, sidomos ato për logjikën dhe etikën, që tregojnë për vendin e rëndësishëm që zë në filozofi. Në shkollat (scoloe) e qyteteve ku kishte selinë një peshkop, përveç teologjisë mësoheshin "shtatë artet liberale". Sipas një tradite të vendosur nga aristotelianët e vjetër, këto arte përbeheshin nga Trivium-i: gramatikë, retorikë dhe dialektikë- kjo e fundit përfshinte edke logjikën; dhe nga Quadrivium-i: aritmetikë, gjeometri, astronomi dhe muzikë. Filozofia e Abelardit përfaqëson kulmin e skolastikës së parë, ndërsa skolastika e dytë e ka kulmin e vet në shekullin XIII me mendimin e Shën Thoma d'Akuinit. Vatra shpirtërore e këtyre dy etapave qe Parisi. Nga ana tjetër, qendra e skolastikës së tretë (shekujt XIV-XV), ku u shpalos mendimi modern i shkencës empirike, ishte Oksfordi.
Përdorimi i figurshëm i termit "dritat" daton nga ai "ndriçim" për të cilin flet Shën Augustini, për të treguar se vetëm nderi i Zotit ndriçon dritën e njohjes në errësirën e shpirtit njerëzor. Koncepti bashkëkohor i "dritave" lidhet gjithashtu me njohjen njerëzore, por ndërkaq tregon kundërshtinë me "ndriçimin" e Shën Augustinit; në sistemin filozofik të Emanuel Kantit kjo është emancipimi i një pakice që vepron në mënvrë të pavarur. Pikërisht në këtë kuptim, Abelardi (ose Abailard), ka qenë një "mendje e ndritur", që merrte për udhërrëfyese arsyen, përvojën dhe diturinë e tij vetjake, në vend që t'i nënshtrohej pushtetit të mendimtarëve me vulë apo dogmave të Kishës.
Në rininë e Abelardit, quhej "dialektik" arti i ri për të arsyetuar, pas shekujsh të një zbrazëtie kulturore. Asnjë nga të diturit e fillimit të shekullit XII nuk përshkonte si një "dialekticien" Veriun e Francës, jugun e Anglisë, rajonin e Rinit apo edhe veriun e Italisë, për të shkëlqyer në publik nëpërmjet polemikave të gjalla dhe fjalimeve të shkëlqyera, siç bënin sofistët në Athinë, në kohën e Sokratit. Këta virtuosie kishin marrë dituri në shkollat e katedraleve, të ngritura nëpër qytetet që kishin filluar të zmadhoheshin dhe pak nga pak po u hiqnin manastireve ekskluzivitetin e vendeve të privilegjuara të diturisë. Këto "shkolla" (nga latinishtja "i scola", shumësi scoloe) prej nga ata dilnin, bëri që ata të quheshin "skolastikë". Filozofia sunduese, me të cilën Abelardi i ri hyri në konflikt, ishte një version i thjeshtësuar dhe i ngurtësuar në mënyrë dogmatike i augustinizmit. Përfaqësuesi kryesor i saj ishte Anselmi i Kantërbërisë (1033-1109), shenjti i ardhshëm, i mbiquajtur "babai i skolastikës". Shën Anselmi, në mënyrë edhe më të hapur se Shën Augustini, ishte i mendimit se besimi duhet të ketë përparësi në njohjen filozofike; për të, e vërteta - siç mësonte Platoni - hyn te Qenia e përjetshme dhe e vërtetë e Zotit; ajo pra është më shumë se njohje e thjeshtë. Sipas Shën Anselmit, konceptet e përgjithshme, që ai i quan "koncepte universaie", themelojnë të vërtetën. Ato janë të përjetshme, si idetë platonike, në ndryshim nga objektet e veçuara që kanë realitet, veçse në atë masë me të cilën marrin pjesë te konceptet universale. Midis kategorive të skolastikës, kjo pikëpamje është quajtur në mënyrë të habitshme "realizëm". Nga ana tjetër, pikëpamja që i përputhet asaj që ne kuptojmë sot me realizëm - domethënë rezultati i përvojës ndjesore konkrete - është quajtur atëherë "nominalizëm". Në mendimin e Anselmit, konceptet e përgjithshme janë veçse "emra", me fjalë të tjera, tregues të thjeshtë; për nominalistët më radikalë, emri nuk është gjë tjetër veçse një flaius vods, një "frymë e zërit". Realizmi, sipas shën Anselmit, kishte përparësitë e tij për arsyetimin; ai lejonte, për shembull, të tregonte ekzistencën e Zotit: nëse e përgjithshmja është po aq e vërtetë dhe reale sa më e madhe të jetë, dhe nëse Zoti është koncepti më i përsosur universal, atëherë ekzistenca e tij është e përfshirë në pafundësinë e kësaj shtrirjeje. Ne vëmë re shumë shpejt se kjo "provë ontologjike" e ekzistencës së Zotit është në rregull, duke përsëritur shumë herë të njëjtën gjë me fjalë të ndryshme. Megjithatë, nga pikëpamja e fesë, arsyetimi kishte kuptim si mendim mistik që thellonte konceptin besim. "Prova ontologjike" të kujton universin mendor të Denis Areopagitit (shekulli I), në të cilin drita e përjetshme e së vërtetës hyjnore depërton botën nga njëra pjesë në pjesën tjetër dhe tërheq te vetja shpirtin e zhytur në errësirat e botës së prekshme të objekteve të veçantë. Realizmi i koncepteve universale nxirrte në pah faktin se shpirti hynte te Zoti dhe kështu ishte i pavdekshëm. Abelardi shkaktoi zemërim të vërtetë kur tha se Denis Areopagiti nuk kishte pothuaj asnjë lidhje me martirin parisian Shën Denis. Megjithatë, më 1118, pas zgjidhjes jo të këndshme të lidhjes së tij të caktuar nga fati me njërën nga nxënëset e tij, Heloizën, sa të bukur aq edhe të zgjuar, u strehua në abacinë e ngritur nën përkujdesjen e vetë Shën Denisit. Xhaxhai i fuqishëm i Heloizës, Fylberi, e trodhi, duke e penguar kështu për çdo detyrë priftërore - sepse një prift, sipas të drejtës kanunore, duhej (dhe duhet gjithmonë) të jetë një njeri i plotë. Abelardi nuk i kundërvuri realizmit të koncepteve universale nominalizmin e skajshëm, mbrojtës i të cilit ishte mësuesi i tij Roselën dë Kompienjë (rreth vitit 1050-1120); Roselëni duhej të kishte hequr dorë solemnisht nga teoria e tij, sepse kishte hyrë në konflikt me dogmën kishtare të Trinisë së Shenjtë. Çdo emërtim, duke qenë për të një përgjithësim i kryer nga ai që emërton, nuk shihte asnjë ndryshim themelor midis një objekti të vetëm dhe pjesëve që e përbënin dhe që mund të ishin, nga ana e tyre, të ngjizura si objekte të vetme. Por Kisha nuk mund ta toleronte copëzimin e Zotit të vetëm në tri entitete vetjake të dallueshme. Abelardi vuri në balancë arsyetimet e filozofëve dhe ato të doktorëve të Kishës - vepra e tij më e rëndësishme, Sic e non (Po dhe jo), përballte teoritë antagoniste të autoriteteve të njohura - dhe arriti në përfundimin se konceptet universale duhej të kishin ekzistuar para vetë Krijimit hyjnor, në brendësi të botës, por që vazhdonin të ekzistonin vetëm si veçanësi (entitete) përgjithësuese të objekteve individuale. Ai largohej kështu nga (neo)platonizmi sundues, sipas të cilit gjërat janë reale vetëm nëse bëjnë pjesë te Qenia shpirtërore, dhe i afrohej pikëpamjes së Aristotelit: ajo që është konceptualisht e njohur te gjërat - forma e tyre - mbetet e lidhur me nënshtresën materiale të mundshme dhe të vetme. Abelardi, pa hyrë në tërësinë e mendimit aristotelian - sepse në kohën e tij vetëm Logjika e Aristotelit ishte e mundur të lexohej në përkthimin latinisht - paraprinte teoritë thelbësore të skolastikës së lartë. Rezultati që arriti Abelardi nuk kishte aq shumë rëndësi sa metoda e Sic et non, që qëndronte në kundërvënien e doktrinave, teorive dhe arsyetimeve. Ky mendimtar i veçuar gjeti rrugën e tij në lirinë e vet të shpallur përballë pushtetarëve fetarë: zgjuarsia dhe gjykimi nuk kanë dalë nga besimi, por besimi rrjedh nga gjykimi dhe nga të kuptuarit kritik. Këtë liri të individit, Abelardi nuk e kërkoi vetëm si mendimtar, por edhe si aktor. Estetika e tij qëndron në atë që individi kërkon të njohë dhe ta bëjë mirë; sipas tij, më thelbësor nuk është rezultati, por synimi. Kjo ide sillte risi në një epokë kur e drejta nuk kërkonte të merreshin vesh arsyetimet dhe kur e Mira ishte më pak e kapshme përmes synimeve të mira të njerëzve, sesa nëpërmjet nderit të Zotit. Shën Anselmi i Kantërbërisë, nën frymëzimin e Shën Augustinit, e kishte përshkruar të Mirën si rezultante të shëlbesës nëpërmjet Krishtit: ajo mund të ekzistojë në botë vetëm nëse Zoti - Qenia përjetësisht e vërtetë - e lejon të hyjë në botë. Për Abelardin, përkundrazi, individi është në zanafillë të shpëtimit të tij, duke imituar Krishtin në dashurinë e tij për njerëzit.
Me këto teori, Abelardi u bë armik i vetë Shën Bernardit të Klerovosë. Bernardi ishte një mistik që predikonte dashurinë e shpirtit për Zotin dhe flijimin e shpirtit në dobi të besimit - domethënë të autoritetit të Kishës. Shën Bernardi i ardhshëm ishte fanatik i besimit; ishte ai që e nxiti papën Eugjeni III të fillonte Kryqëzatën e Dytë të mynxvrshme (1147-1149). Abelardi - kjo mendje kritike dhe e kthjellët, që mund të pranonte një të krishterë, një hebre dhe një mendimtar të lirë në radhët e partnerëve të barabartë në një diskutim filozofik - e shqetësonte dhe e acaronte shumë. Dhe Bernardi i Klervosë arriti të siguronte shkishërimin e tij më 1140; shkrimet e tij u dënuan me djegie. Abelardi vdiq dy vjet më vonë. Heloiza arriti të siguronte që kufoma e tij t'i dorëzohej asaj dhe e varrosi në abacinë e Parakletit, ku ajo qëndroi për njëzet e dy vjet kryemurgeshë.
Veprat kryesore: De unitate et trinitate divina; Theologia Christiania (1353, shpesh e ripunuar, botuar edhe me titullin Theologia, por më vonë u përdor titulli Hyrje në teologji - introductio - nuk ekziston te Abelari); Sic et non; Scito te ipsum, përkatësisht Etika; Historia calamitatum; Dialogus inter Judaem; Philosophutn et christianum; Epistolae. Te gjitha veprat i botoi V. Kuzeni në Paris (1849-1859).
Kureshti nga jeta e filozofit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Abelardi në Paris dhe Kompjenj dëgjoi ligjeratat e realistit Gijom dë Shampo dhe të nominalistit Roscelini. Herët hapi shkollën e vet dhe në ligjëratat brilante të tij grumbulloheshin nxënësit nga të gjitha viset e Evropës. Duke luftuar në mënyrë të pasionuar kundër irracionalizmit dhe misticizmit (kundërshtari më i ashpër i tij ishte Bernari i Klervosë), përkrah tezën se feja duhet të bazohet para së gjithash në kuptimin racional, se dituria është para religjionit, arsyeja para autoritetit. Në debatin e njohur rreth universalieve mori qëndrim ndërmjetës, duke i konsideruar të njëanshme si tezat e realizmit ashtu edhe të nominalizmit. Diçka universale, e përgjithshme nuk ekziston si reale në vetvete (realizmi), mirëpo nuk është as fjalë boshe; ajo ekziston si koncept (konceptues - dhe për këtë arsye pikëpamja e tij quhet konceptualizëm) para gjërave të veçanta në intelektin hyjnor, pastaj në këto gjëra si grumbull i cilësive të tyre të qenësishme dhe pas gjërave si koncept në arsyen njerëzore. Natyra e së përgjithshmes, pra, nuk qëndron në fjalë (voces) por në kuptimin, në domethënien e tyre, në thënien (sermo - kështu që pikëpamja e Abelarit herëherë quhet edhe sermonizëm).
- Në planin etik Abelardi , para së gjithash, u përpoq të caktonte çka e formon esencën e së mirës, përkatësisht së keqes. Në këtë gjë konsideron se epërsitë ose të metat trupore nuk duhet të jenë relevante nga aspekti etik, mirëpo edhe shpirti ka disa kualitete të caktuara të cilat, meqë ekzistojnë që nga lindja, gjithashtu nuk janë të qenësishme për moralin. As vetë dëshira për të palejueshmen nuk është mëkatare, por vetëm pëlqim që ajo të realizohet. Kriteret vendimtare për të mirën, përkatësisht të keqen janë qëllimi, pëlqimi dhe vetëdija.
- E gjithë filozofia skolastike e Mesjetës mban vulën e betejës shpirtërore midis pozicioneve "realiste" dhe atyre "nominaliste", pak a shumë radikale, mbi konceptet e përgjithshme ose "universale". Le të marrim një shembull: a është njerëzimi më real se njeriu i marrë individualisht, a ekziston vetëm sepse merr pjesë te njerëzimi? Ose: a është njeriu i marrë individualisht më real se "njerëzimi", që është veçse një abstragim konceptual, një "emër" i thjeshtë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje, duke mos qenë aspak e thjeshtë, shqetëson edhe sot filozofinë, nën një formë pak më ndryshe.
- Abelardi dhe Heloiza rreshtohen mes dashnorëve më të famshëm të botës, falë letërkëmbimit që ka mbërritur deri tek ne.Pas ndaries së detyrueshme me të dashurin, mbesa e hakmarrësit Flyber u vesh murgeshë, por mbeti shoqëruesja shpirtërore e Abelardit. Zhan Zhak Rusoi (1712-1778) u frymëzua nga letërkëmbimi i tyre për të shkruar Zhyli ose Heloiza e Re (1761), një roman epistolar nëpërmjet të cilit ai parqet parimet e thella të filozofisë së tij shoqërore dhe morale.
- Kuridërshtia dialektike e sic et non çon te liria e gjykimit vetjak, që zëvendësoi besimin e verbër te pushteti i Kishës. Të mësosh të mendosh në mënyrë të pavarur, është sinonim i mendjes së ndritur. "Dritat" fillojnë në Mesjetë, me Pjer Abelardin.Në veprën Sic et non Abelardi i vë ballë për ballë doktrinat e ndryshme të autoriteteve kishtare dhe tregon guximshëm kundërthëniet e tyre reciproke.
- Abelari theksoi edhe kërkesën për drejtësinë sociale dhe u kërcënohet njerëzve të fuqishëm shoqërorë me dënime dhe mundime ferri. Kërkoi gjithashtu reformën e shoqërisë, foli për shfrytëzimin dhe padrejtësitë, për nevojën e mbrojtjes së të varferve. «Në interpretimin e ndërgjegjes si mbështetje më të qenësishme të njeriut Abelardi mbrojti të drejtën e individualitetit të njeriut dhe me këtë theksoi kërkesën se megjjthatë të menduarit lirisht vendos mbi thelbin dhe kuptimin e jetës» . Koncili në Soason vendosi më 1121 të digjet vepra e tij Teologjia e krishterë, kurse Koncili në Sans në vitin 1141 dënoi tërë doktrinën e tij. Abelari për shkak të dashurisë ndaj Eloizës (është e njohur korrespondeca e tyre) është tredhur dhe është detyruar të tërhiqet në manastirin e St.Denis.