Academia.eduAcademia.edu

Dallimi midis "interesit" dhe "kamatëvonesës" si elemente të kontratës së huasë

2024, ENTELA MUSTAFARAJ

Dallimi midis “interesit” dhe “kamatëvonesës” si elemente të kontratës së huasë. Av. Entela Mustafaraj Dhoma e Avokatise Tirane Tel:0697753948 Detyrimi është një marrëdhënie juridike me anë të së cilës një person (debitori) detyrohet të japë diçka, ose të kryejë ose të mos kryejë një veprim të caktuar në dobi të një personi tjetër (kreditorit) dhe ky i fundit ka të drejtë të kërkojë ’i jepet diçka apotë kryhet ose të mos kryhet një veprim i caktuar në favor të tij(neni 419 i KC).Detyrimet lindin nga kontrata ose ligji (neni 420 i KC).Kolegji vlerëson se koncepti themelor i detyrimit, pa marrë parasysh bazën e krijimit të tij është që debitori ta përmbushë atë ashtu siç është përcaktuar.Debitori është i detyruar ta përmbushë detyrimin sipas përmbajtjes së detyrimit në vendin, kohën dhe mënyrën e parashikuar për përmbushjen e tij. Në rast se debitori nuk e përmbush detyrimin, nuk e përmbush pjesërisht ose e përmbush me vonesë, kreditori mund të kërkojë përmbushjen e detyrimit dhe shpërblimin e dëmit. Mospërmbushja është e plotë kur debitori nuk e përmbush fare detyrimin, ndërsa është e pjesshme kur debitori përmbush detyrimin jo në mënyrën e duhur, gjë që nënkupton jo në cilësinë, sasinë e duhur apo jashtë afatit të caktuar nga palët. Përgjegjësia kontraktore ka një funksion të dyfishtë, pasi nga njëra anë ka lidhje me shlyerjen, pagimin e detyrimit, ndërsa nga ana tjetër ka karakter zhdëmtues, duke lejuar shlyerjen e dëmit të pësuar kreditorit. Përgjegjësia e debitorit për të shpërblyer dëmin që ka pësuar kreditori nga mospërmbushja në kohë e detyrimit, lind në çdo rast kur debitori vihet në vonesë.Përgjegjësia e debitorit për të shpërblyer dëmin e shkkatuar kreditori nga mospërmbushja në afat e detyrimit ëhstë e rregulluar nga nga neni 476/1 i Kodit Civil, sipas kësaj mënyre formulimi: “Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij..”.Në lidhje të ngushtë me këtë dispozitë, neni 481 i Kodit Civil jep kuptimin e vënies në vonesë të debitorit, sipas kësaj mënyre përcaktimi: “Debitori që nuk përmbush një detyrim të kërkueshëm në afatin e caktuar, quhet se ështe në vonesë (morë), përveç kur mosekzekutimi është rrjedhim i rrethanave që nuk kanë lidhje me fajin e debitorit...”. Neni 486 i K.Civil, si dhe tek parashikimet e nenit 450 të K.Civil. Kreditori ka të drejtën e kamatëvonesës pa marrë parasysh nëse ka pësuar ndonjë dëm për shkak të vonesës së debitorit, por nëse ka pësuar dëm që është më i lartë sesa vlera e kamatëvonesës, ai ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e plotë të dëmit. Gjykatat e faktit i referohen nenit 1051 të Kodit Civil, duke arsyetuar se vetë palët kanë përjashtuar pagesën e kamatave dhe për pasojë paditësi në këtë gjykim nuk ka të drejtë të kërkoj pagimin e tyre dhe pse detyrimi është shlyer me vonesë nga debitori Plator Mehmeti, palë e paditur në këtë gjykim. Neni 1051 i KC parashikon se: “Përveç kur me marrëveshje të palëve është parashikuar ndryshe, huamarrësi duhet t’i paguajë huadhënësit kamatat.Kamatat, për të cilat është rënë dakord, paguhen çdo vit, përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe.Mospagimi i kamatave përbën mospërmbushje thelbësore të detyrimit”. Në përputhje me kuptimin e kontratës së huasë dhe natyrën e detyrimeve që burojnë prej saj për palën huamarrëse, Kolegji vlerëson se termi “kamatë” në dispozitën sipërcituar është përdorur pikërisht në kuptimin e “interesit” të zbatueshëm brenda afatit kontraktor, me qëllim për të diferencuar nocionin e “huasë me interes”, si një klauzolë e posaçme kontraktuale që i shtohet detyrimit të përgjithshëm të huamarrësit, për kthimin e shumës së huasë të parashikuar nga neni 1050 i KC. Përdorimi i këtij termi në aspektin gjuhësor lidhet me faktin se fjala “kamatë”, sipas fjalorit të gjuhës shqipe ka një kuptim të dyfishtë, pasi nga njëra anë ka kuptimin e interesit si pjesë e fitimit, e shprehur në përqindje që e merr dikush për borxhin që i ka dhënë një tjetri dhe nga ana tjetër, si shtesa mbi pagesën e një detyrimi, kur ky nuk shlyeht në afatin e caktuar ose siç quhet ndryshe kamatëvonesë. Kamata për të cilën bën fjalë neni 1051 i KC i referohet pikërisht interesit si normë fitimi për huadhënësin e parashikuar me marrëveshje të palëve dhe jo kamatëvonesës, i parashikuar si detyrim nga ligji për shkak të mospërmbushjes brenda afatit kontraktual, të detyrimit të kthimit të shumës së marrë hua nga huamarrësi.Një përfundim i tillë është në përputhje dhe me interpretimin teleologjik të kësaj dispozite, pasi përllogaritja e këtij detyrimi me bazë vjetore dhe përcaktimi i tij si kusht zgjidhës i kontratës në rast mospërmbushje, sipas kuptimit të neneve 698 dhe 699 të KC, qartësisht e identifikon përmbajtjen e saj si të lidhur ngushtësisht me kuptimin e interesit të zbatueshëm për çdo vit, deri në përfundimin e afatit të kontratës, dhe jo me kuptimin e kamatëvonesës, si shpërblim dëmi të parashikuar nga ligj, për mospërmbushjen e detyrimit nga debitori brenda afatit kontraktor. Në referim të analizës së mësipërme rezulton se interesi dhe kamatëvonesat janë dy nocione të ndryshme.Interesi në kuptimin ekonomik përfaqëson koston e borxhit për huamarrësin që parashikohet nga palët kontraktuale si një formë kompesimi për huadhënësin për humbjen që i shkaktohet nga fakti i përdorimit të parave të tij nga huamarrësi gjatë periudhës së huasë, ndërsa në kuptimin ligjor përfaqëson marrëveshjen e palëve për përcaktimin e masës apo normës së kompesimit në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.Në këtë kuptim interesi nuk është penalitet dhe nuk shërben për të nxitur shlyerjen e detyrimit, ndërsa kamatëvonesa zbatohet për mosshlyerje detyrimi dhe nxit shlyerjen e tij, duke përbërë për rrjedhojë një lloj penaliteti që zbatohet, për shkak të ligjit, në rast të mospërmbushjes në kohë të detyrimit.