Donika Kastrioti
Andronica Comneniates (Donika Kastrioti) | |
---|---|
Zonja e Shqipërisë | |
Emri i plotë
Andronika (Donika) Arianiti-Komnena Muzaka | |
Lindi | 1428 Kaninë, Perandoria Osmane |
Vdiq | 1506 (78 vjeçe) Valencia, Mbretëria e Valencias |
Varosur | Manastiri Mbretëror i Trinisë së Shenjtë (Valencia) |
Familja fisnike | Aranitët (nga babai) Muzaka (nga nëna) Kastriotët (nga martesa) |
Bashkëshorti | Skënderbeu |
Çështja | Gjon Kastrioti II |
Babai | Gjergj Arianiti |
Mamaja | Maria Muzaka |
Andronika Arianiti-Komnena (Andronica Comneniates, 1428-1506) ka qenë një fisnike arbërore, e bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti dhe bashkëshortja e Skënderbeut.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Kaninë, më 1428. Viti i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.
Andronikës i thërrisnin edhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit dhe Maria Muzakës. I ati ishte martuar dy herë.[1] Me bashkëshorten e parë, Maria Muzakën, pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Helenën, Dhespinën, Komitën dhe Angjelinën. Pas vdekjes së Marias, lidhi kurorë me aristokraten napoletane Pietrina Franco, me të cilën pati tetë fëmijë. Ndër ta mund të përmendim vajzat: Maria, Teodora, Katerina e Mara si edhe djemtë: Thoma, Kostandin dhe Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Andronika ishte e para e të gjithëve.
U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:
"...Ç'dasmë që bëri Araniti
Atë natë kalaja ndriti,
Kënga dhe vallja buçiti
Çelën llamba, ndezën pisha
Plot tryeza me të gjitha,
Mish dashi, Labërie,
Verë Parge Çamërie..."
Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri:
"...Dhëndëri si dielli ndriste,
Edhe nuseja që prunë,
Porsi hëna vetëtinte,
Dritënë në dritë e shtunë..."
Më 1456 lindi djali i vetëm i çiftit, Gjon Kastrioti, i cili më vonë do të martohej me Jerinën, vajzë e Despotit serb Llazar Brankoviq dhe Helenës së Moresë. Kjo martesë do të lidhte familjen e Kastriotëve me atë të Perandorëve bizantinë, pasi Jerina nga ana e mamasë së saj, ishte stër-mbesa e Perandorit Manuel III.
Pas vdekjes së Skënderbeut prej malarias më 1468, shumë fisnikë arbëresh, përfshirë Donikën dhe të birin, u detyruan të emigronin në Napoli, ku u mirëpritën nga Mbreti Ferdinand I. Aty u dhuruan prona dhe tituj të shumtë, ndër të cilët mund të përmendim Dukatin e San Pietro-s në Galatina, Kontènë e Saletos, etj.
Më 1477 Ferdinandi I u martua me Joanën e Aragonës, me të cilën Andronika do të kishte një miqësi të gjatë. Donika dhe familja Kastrioti ishin tepër të respektuar nga oborri mbretëror aragonez-napoletan, diçka që nuk do të ndryshonte edhe pas vdekjes se Ferdinandit dhe ardhjes ne fron të Ferrantes I. Kastriotët do të shiheshin me respekt dhe dashamirësi nga familja mbretërore. Pas fillimit të luftrave italiane, më 7 shtator 1499 Joana, së bashku me të bijën, vendosi të rikthehej në vendlindjen e saj në Spanjë, shoqëruar nga Zonja Donika si edhe oborrtarë të shumtë. Djali 15 vjeçar i Gjon Kastriotit, Alonso, ishte gjithashtu një ndër shoqëruesit fisnikë të mbretëreshës aragoneze. Më 2/3 gusht 1501 u vendosën përkohësisht në Sicili ndërsa tokën spanjolle e prekën në korrik të vitit 1502. Fatkeqësisht, përshkak të moshës së vjetër si edhe vdekjes së papritur të nipit të saj, Donika nuk mundi t'a rishoqëronte Joanën në Napoli. Zonja shqiptare mendohet të ketë vdekur midis 8 marsit 1505 dhe fillim shtatorit të vitit 1506, në Valencia të Spanjës.
Në testamentin e Joanës së Aragonës, shprehet dëshira e mbretëreshës spanjolle për lëvizjen e eshtrave të mikeshës së saj Donikës, nga manastiri i Valencias, në Napoli. Kjo dëshirë nuk arriti të plotësohej dhe princesha arbërore prehet edhe sot e kësaj dite në Spanjë.