Çun Mula
Çun Mula (1818-1896) ka qenë bajraktar i bajrakut të Hotit. Familja e tij, Lucgjonaj, zbriti nga familja Junçaj e Hotit. Sipas Kodit të Lekë Dukagjinit, familja Çun Mula u vunë në krye të fiseve nga Malësia, duke i udhëhequr ata me guxim dhe besnikëri në luftërat e shumta kundër serbo-malazezëve dhe forcave osmane, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ai ishte njëri nga 15 delegatët shqiptarë nga Shqipëria veriore të dërguar gjatë bisedimeve të Kongresit te Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878) bashkë me tri roje nga Mirdita. Delegatët katolik përfshinë krerët; Çun Mula nga fisi i Hotit, Baca Kurti nga fisi i Grudës, Marash Dashi nga fisi i Shkrelit, Cil Vuksani nga Kastrati, Mark Lula nga fisi i Shalës, Mark Kola nga fisi i Shoshit dhe Con Geda nga fisi i Shllakut.[1]
Ai u bashkua me nacionalistët shqiptar të Lidhjes së Prizrenit pas vendimit të Kongresit të Berlinit për të dorëzuar rajonet shqiptare të banuara si: Hoti, Gruda, Plava , Gucia, Kastrati, etj në Principatës së Malit të Zi. Kur Princ Nikolla I i Malit të Zi hyri në territorin i cili i ishte caktuar atij nga Kongresi i Berlinit, Mula dhe shefat tjerë nga Malësia organizuan një rezistencë kundër Malit të Zi. Malësorët e veriut shqiptar mundën malazezët në Betejën e Nokshiqit. Ai është renditur në poezinë epike shqiptare si luftëtar malësor.
Aktiviteti luftarak
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Po kështu nga dëshmi të ndryshme rezulton se Çun Mula të ketë marrë pjesë si ushtar i Perandorisë Osmane në luftrat e Krimesë dhe Moresë. Nisur nga emri i madh që krijoi Çun Mula në atë krahinë, në vitin 1878 paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe e zgjodhi atë si përfaqësues të saj në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që u mbajt më dhjetë qershor të atij viti nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut). Në këtë kuvend, Çun Mulës iu caktua edhe funksioni i Komandantit të forcave vullnetare ushtarake për gjithë Malësinë e Madhe. Një nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula, ku dhe u shqua për guxim e trimëri të rrallë, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malsorët vullnetarë që komandonte i theu keqasi forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi. Po kështu disa vjet më pas, Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë. Një nga betejat më të njohura që zhvilloi Çun Mula kundra forcave turke, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit i cili ishte Komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë me qendër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Thuhet se komandanti i forcave turke Bedri Pasha, duke e parë të pamundur përplasjen me malsorët e udhëhequr prej Bajraktarit të Hotit, të cilët ishin të vendosur të luftonin me çdo kush për të mbrojtur tokat e tyre, iu shmang përpjekjes së armatosur dhe i hapi rrugën Çun Mulës. Kjo ngjarje asokohe bëri bujë të madhe aq sa u përjetësua edhe në këngët e folklorin popullor duke u kënduar me lahutë nga disa breza.[2]
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Çun Mula vdiq në vitin 1896 në moshën shtatëdhjetetetë vjeçare dhe u varros me nderime të mëdha aty në trojet e të parëve të tij në krahinën e Hotit. Pas vdekjes së Çun Mulës një nga burrat e shquar që nxorri ajo familje ishte nipi i tij Deli Meta i cili u lind në vitin 1857. Ashtu si të parët e familjes së tij edhe Deli Meta pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në luftra kundra forcave serbo-malazeze. Nga dëshmi gojore të shumta thuhet se Deli Meta u bë tmerri i serbo-malazezëve nga trimëritë që ai tregoi në Luftën e Qytezës, Nën-Helmësit e Grabanicit. Po kështu një nga betejat e famshme ku u shqua Deli Meta ka qenë edhe ajo Koplikut në vitin 1912 kundër forcave serbo-malazeze të cilat kërkonin që t'ia aneksonin Shkodrën Malit të Zi. Në këto luftime përkrah Deli Metës luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi që ishte prej fisit të Dedë Gjon Lulit. Pas asaj beteje në shënjë hakmarrje forcat malazeze ia dogjën tri herë shtëpinë Deli Metës në Hot dhe tri herë Krajl Nikolla i Malit të Zi bashkë me Mbretin Aleksandër i kërkuan atij që t'ju hapte rrugë në këmbim të florijve dhe gradave, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike nga Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe. Mbasi Serbija dhe Mali i Zi aneksuan gjysmën e krahinës së Hotit, Grudës dhe Tuzin, Krajl Nikolla i Malit të Zi dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm që ta bindëte Deli Metën dhe parinë e Hotit që të firmosnin një deklaratë ku pjesa e mbetur e Hotit të bashkohej me Malin e Zi. Për këtë gjë Ministri i Krajl Nikollës u propozoj Deli Metës një shumë të madhe me florij si dhe grada të larta, por Deli Meta bashkë me parinë e Hotit e refuzuan me neveri propozimin e ministrit malazez.[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Istorijski zapisi (në kroatisht). Vëll. 31. Istorijski institut SR Crne Gore c. 1978. fq. 54.
Од укупно 15 делегата из северне Албаније, од католика, поред тројице заптија из Мирдитије, треба поменути барјактаре: Чул-Мула из Хота, Баца-Курти из Груда, Мараш-Даши из Шкреља, Ђил (тако!) Вуксани из Кастрата, Марк-Љуља из Шаље, Марк-Коља из Шоше и Ђон-Геда, војводу из Шљаку.43 Седмог јула вратили су се у Скадар депутата Скадра и бр- ђана из Призрена. Телал је објавио општи састанак на управо ...
- ^ a b Gjon Bala:Çun Mula (1818 - 1896) Arkivuar 17 gusht 2016 tek Archive.today Thuhet se gjatë një gostije të zhvilluar në Pallatin e Krajl Nikollës ku ishin ftuar oficerët më të shquar të Malit të Zi, Krajli i pyeste ata se kush ishin prijsit shqiptarë më të rrezikshëm që u paraqisnin atyre probleme serioze. Pas shumë përgjigjieve të ndryshme të oficerëve malazezë që jipnin mendimet e tyre, Krajl Nikolla u drejtua të pranishëmëve duke u thënë: "Unë dy vetave ua kam frikën: Bajraktarit të Hotit Deli Meta që është mysliman dhe qeveris një krahinë katolike dhe Bajraktarit të Grudës që është katolik dhe qeveris një krahinë myslimane. Sepse në rast të një konflikti ata të dy e kanë të gjithë popullin me vete".