Rilindja Kombëtare Shqiptare
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Ky artikull është pjesë e një serie në |
Historinë e Shqipërisë |
---|
Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte rezultat i lëvizjes politike shoqërore kulturore për çlirimin e Shqipërise nga pushtimet e huaja. Kjo lëvizje nisi nga mesi i shekullit XIX dhe përfundoi në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Rilindja Kombëtare ishte një levizje mbarëkombëtare shqiptare që synonte: çlirimin e vendit, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të shtetit të ri shqiptar. Ajo drejtohej nga intelektualë shqipëtarë, që vinin nga radhët e borgjezisë shqiptare, çifligarëve atdhetarë e përparimtarë, të klerikëve dhe përfaqësues të jetës qytetare e fshatare.
Rrethanat historike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Shqipëria nën sundimin osman
Nga mesi i shekullit të XIX -Turqia ishte në ethet e "Çështjes Lindore", në kohën që Ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët, kërkonin të plotësonin ëndrën e tyre kombëtare. Për të mbrojtur dhe
përkrahur interesat e tyre kombëtare, shqiptarët u mblodhën në Prizren, një qytet i Kosovës, në vitin 1878 dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Lidhja kishte dy qëllime kryesore, atë politike dhe atë kulturore. Së pari, u përpoq të bashkonte të gjitha trojet shqiptare por pa sukses - atë kohe të ndara në katër vilajete: i Kosovës, i Shkodrës, iManastirit, i Janinës - në një shtet vetëqeverisës brenda sistemit të Perandorisë Osmane. Së dyti, mprehi një lëvizje për zhvillimin e gjuhës shqipe, letërsisë, arsimimit, dhe kulturës. Në vijë me programin e dytë, në vitin 1908 udhëheqësit shqiptarë u takuan në qytetin e Manastirit (tani Bitola, Maqedoni) dhe përshtatën një alfabet kombëtar. Ai bazohej më së shumti në shkrimin latin, ky zëvendësoi disa alfabete të tjera, duke përshirë alfabetin turk dhe grek, që ishin gjer në atë kohë në përdorim.
Lidhja Shqiptare, nën trysninë e fuqive evropiane, u shtyp nga osmanet në vitin 1881. Këtë e bëri Evropa për ta penguar krijimin e një shteti të ri të proveniencës myslimane në Evropë, me shumicë fetare myslië një simbol i zgjimit kombëtar të Shqipërisë, dhe idetë dhe qëllimet e saja ushqyen shtysën që kulminoi më vonë në pavarësinë kombëtare.
Kur Xhonturqit (Turqit e Rinj), që kishin marrë pushtetin në Stamboll në vitin 1908 shpërfillen zotimet e tyre të bëra shqiptarëve të bëjnë reforma demokratike dhe dhënies së vetëvendosjes (autonomisë), shqiptarët u hodhën në luftë të armatosur tre vjeçare (1910-1912), e cila në fund i detyroi osmanet t´u plotësonin kërkesat e tyre (edhe pse kerkesat ishin deformuar nga osmanet). Të alarmuar nga ardhmëria e autonomisë shqiptare, fqinjët ballkanas të Shqipërisë, që kishin bërë tashmë plane për copëtimin e vendit, i shpallën luftë Perandorise Osmane në tetor 1912, dhe ushtritë greke, serbe dhe malazeze përparuan në trevat shqiptare.
Për të shmangur asgjësimin e vendit, të dërguarit e kombit u takuan në një kongres në Vlorë. Ata udhëhiqeshin nga Ismail Qemali, një shqiptar që kishte pasur pozita të larta në qeverinë osmane. Më 28 nëntor 1912, kongresi nxori thirrjen, e cila shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
Parapërgatitjet për reforma
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje, edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej fillimit deri në fund lëvizje të veçuara e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për t’i kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare. Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë Rilindjes. Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi përmes një rruge të vështirë, duke kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara. Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë morën tipare të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë. Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë e saj.
Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja
e njëkohshme e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar i objektivave të saj gjatë Rilindjes.
Problemet ekonomiko-politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në zbehsistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.
Programi politik i rilindjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ideologjia e Rilindjes iu konkretizua në programin e saj politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht, duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua gjatë zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje të epokës së Rilindjes, në fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822), edhe pse keto dy pashallaqe me perpara shihnin interesin personal sesa at kombetar madje nuk kishin qellime kombetare fare. Megjithatë, këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh të brendshme e të jashtme, nuk arritën të bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej kështu, më herët se në vendet e tjera të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët i shfaqën përsëri prirjet e tyre për t’u shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do të luftonin kundër Greqisë vetëm po të rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan të vendosnin në vilajetin e Janinës një administratë të tillë civile, e cila t’u njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve, myslimanëve e të krishterëve. Bashkëkohësit shihnin në këto qëndrime të krerëve shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe synimin e tyre për pavarësi dhe për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund të arrihej nëse do të ishte vendosur një lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut. Për shkak të pavendosmërisë së vetë krerëve feudalë shqiptarë, që i trembeshin shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë për të hedhur poshtë robërinë osmane.
Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë në formën e tij të plotë. Fillimet e tij u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë, intelektualët rilindës në vitet 30-40 të shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për të drejtat e
kombit shqiptar, i plotësuan me ato iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe në përgjithësi për kulturën kombëtare, si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve 30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë e tyre për një administrim të veçantë për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një hap përpara drejt programit autonomist. Me rritjen e lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek. XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në mënyrë të plotë programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë territoriale-administrative dhe të pavarësisë së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera politike mbarëshqiptare. Në këtë program, ideologët rilindës, në përputhje me kohën e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar rilindësit e mendonin në të dyja format, të autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por për një varg arsyesh, që kishin të bënin më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare, por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.
Rilindja kombëtare – një epokë e re historike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shek. XIX rilindja shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit hyrjen në historinë moderne, si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga sundimi i Perandorisë Osmane. Këto lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së Perandorisë Osmane.Ne shek XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e saj ballkanikë, Serbia,kopuop , Bullgaria e Rumania. Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të këtij zhvillimi të Shqipërisë, të diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara, që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve, edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet fqinje, të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
Ndryshimet gjatë rilindjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.
Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objek Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes, sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre të përbashkët për përkatësinë në të njëjtën etni, në të njëjtin komb, komb që jetonte në një territor të përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë, zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët. Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit shqiptar për t’i mbrojtur nga pushtuesit e huaj e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes.
Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare, jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por në radhë të parë me ato intelektuale, me idetë që argumentonin të drejtën e natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht. Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në formimin e popullit shqiptar të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, e cila mishëronte vullnetin e gjithë kombit.
Roli në shpalljen e pavarsisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia territoriale-administrative krijonte mundësitë që të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin si mbështetje për rendin shtetëror të pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.
Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme, nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar. Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit, do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një masë që mund të pajtohej edhe me politikën e status quo-së së Perandorisë Osmane, të ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim autonom i Shqipërisë do t’u priste rrugën lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike, të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX. Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha të të drejtave të shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit nga shtetet fqinje. Organizimi i Shqipërisë si një njësi e veçantë shtetërore autonome, qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndryshimet shoqërore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re, e cila shënoi një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare, edhe nga përbërja e forcave shoqërore që e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës së huaj bëheshin, si rregull, në emër të një njësie politiko-administrative të veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare. Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të kufizuara dhe me karakter lokal.
Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore, krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin e forcave më të ndryshme shoqërore të kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi të vetëm.
Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli ndryshime në strukturën shoqërore të vendit. U formua borgjezia kombëtare si një forcë e re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të para. Si një forcë që ishte e interesuar si për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu edhe për krijimin e kushteve
për sigurimin e personit e të pronës dhe për zhvillimin e ekonomisë së tregut në përgjithësi, borgjezia, në radhë të parë intelektualët e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol të rëndësishëm si në përpunimin e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe në drejtimin e saj.
Roli i popullit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Inteligjenca, e cila vinte jo vetëm nga rradhët e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë, zuri një vend të veçantë për nga roli në lëvizjen kombëtare të periudhës së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në përgjithësi, përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes, programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në të gjitha etapat e Rilindjes. Nga rradhët e saj dolën edhe mjaft nga themeluesit dhe drejtuesit e organizatave kombëtare që udhëhoqën lëvizjen nacionale.
Në një vend si Shqipëria ku bujqësia vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin pronarët çifligarë, të lidhur me pronën mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale, që përfaqësonin një shtresë konservatore, e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve ekonomike e politike në vend.
Përveç kësaj, çifligarët e rinj ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi t’u kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe të veçanta të kësaj force shoqërore u përfshinë në programin kombëtar shqiptar dhe luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes, kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë të Rilindjes.
Ndryshime politiko-ekonomike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për bashkimin politik të të gjitha forcave shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm, ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit) në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve në marrëdhëniet agrare, në administratë dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin e drejtuesve të administratës lokale (që vinin nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët u vendosën në krye të administratës civile e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore të lëvizjes kombëtare
Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes e përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare, të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese të popullsisë. Një vend të veçantë zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut. Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve, të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit, ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm në formimin më të shpejtë politik të bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe me qëndrimet e tyre të herëpashershme në atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt nga gjendja ekonomike me ta.
- Artikulli kryesor: Letërsia e Rilindjes Kombëtare
Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë, me luftën për çlirimin e Shqipërisë nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë së territoreve të saj, ishte një front i gjerë, i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore. Në krye të saj dolën përfaqësues të borgjezisë, të inteligjencës, të çifligarëve (të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë të veçantë të parisë, klerikë atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën një varg i tërë mendimtarësh, që u bënë udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë, ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes kombëtare.
Shkrimtarët me të dalluar të kësaj epoke ishin Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Anton Zako Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni, etj.
Karakteri demokratik dhe antifeudal i rilindjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.
Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmë-feudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturk në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmë-feudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.
Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor.
Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit. Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.
Karakteri fetar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore. Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmë-feudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.
Iluminizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Iluminizmi
Iluminizmi ishte lëvizje e borgjezisë evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Ai drejtohej kundër rendit feudal dhe kulturës së tij, kundër obskurantizmit mesjetar e të gjitha formave të ideologjisë së prapambetur dhe përpiqej për përhapjen e arsimit e të diturisë.
Tradita historike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri të çmuar historiko-kulturore, me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet dhe të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori këtë trashëgimi për të afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur. Rilindësit i kthyen sytë nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar, ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por edhe për t’i vënë provat e lashtësisë së tij në shërbim të detyrave që qëndronin para lëvizjes kombëtare: për të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në luftën e vështirë për çlirimin kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve osmanë, për t’u dhënë një mbështetje historiko-shoqërore kërkesave kombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik të huaj ndaj çështjes shqiptare. Rilindësit e përdorën historinë si një mjet të fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje, si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre shteteve, të cilët, për të arritur më lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë, ua mohuan shqiptarëve historinë. Rilindësit u kapën sidomos pas origjinës së lashtë të shqiptarëve dhe pas epokës së Skënderbeut. Në rastin e parë ata u përpoqën të argumentonin e të përhapnin tezën mbi origjinën pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dhe të provonin me këtë se shqiptarët janë ndër banorët më të vjetër të Ballkanit, autoktonë dhe zotër të ligjshëm të truallit të vet, të cilin askush nuk kishte të drejtë ta prekte. Në rastin e dytë, duke evokuar e duke pasqyruar gjerësisht në letërsi epokën e Skënderbeut, luftën e tij ngadhënjimtare kundër ushtrive të Perandorisë së fuqishme Osmane, rilindësit synonin të afirmonin vitalitetin e popullit shqiptar, aftësinë e tij për t’u bashkuar politikisht dhe të drejtën për të formuar shtetin e vet kombëtar.
Historisë i janë drejtuar edhe rrethet politike të vendeve fqinje, sidomos pas formimit të shteteve kombëtare. Qarqet politike serbe evokuan Perandorinë e Stefan Dushanit të shek. XIV, ato greke Perandorinë Bizantine dhe ato bullgare Perandorinë Mesjetare të Borisit e të Simeonit. Sipas tyre, shtetet serb, grek e bullgar ishin trashëgimtarë të perandorive përkatëse mesjetare dhe rrjedhimisht kishin “të drejtën historike” të shtriheshin në kufijtë e dikurshëm. Mirëpo asnjë nga këto perandori nuk shtrihej në gjithë Ballkanin ose në pjesën më të madhe të tij, të banuar si në të kaluarën edhe në shek. XIX nga popuj të ndryshëm, që ishin zotër të trojeve ku jetonin. Rrjedhimisht synimi për t’i rikrijuar ato, që ishte shprehje e politikës ekspansioniste të këtyre shteteve, cenonte rëndë interesat e popujve ballkanikë, ndërsa, në rastin e shqiptarëve, çonte në pushtimin e territoreve të tyre etnike, amtare, ose në copëtimin e tyre. Orvatjet për përmbushjen e këtyre synimeve u bënë shkak për luftëra ndërmjet vetë vendeve ballkanike.
Përdorimi i traditës historike nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk kishte prirje të tilla ekspansioniste. Shqiptarët nuk kishin formuar në të kaluarën ndonjë perandori, së cilës t’i referoheshin mendimtarët e veprimtarët rilindës. Epoka më e ndritur, të cilën e evokuan rilindësit, ishte ajo e Skënderbeut. Por kufijtë e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, të krijuar prej tij në shek. XV shtriheshin në toka shqiptare, madje nuk i përfshinin të gjitha këto toka; ky shtet lindi dhe qëndroi në truallin shqiptar dhe zhvilloi, derisa u shtyp, një luftë mbrojtëse kundër agresionit osman.
Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historizmi i Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të përkatësisë etnike të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për bashkimin politik të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudhën më të re, në shek. XIX.
Faktori ndërkombëtar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare të kohës.
Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë tanimë një faktor i dorës së parë që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike. Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana, si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto vende përcaktohej në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare.
Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815, ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto vende u çliruan nga robëria osmane vetëm pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit të Zi, u përforcua autonomia e principatave të Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria, ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje kryengritëse kundër robërisë osmane, u shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj) dhe si njësi shtetërore nën vasalitetin e sulltanit, me emrin Rumelia Lindore (pjesa jugore), pas shpartallimit të Perandorisë Osmane në Luftën ruso-turke të viteve 1877-1878 dhe pas Traktatit të Shën-Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878.
Rol vendimtar ka pasur faktori i jashtëm edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dhe në fatin e çështjes shqiptare në përgjithësi. Por, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ndërhyrjet e këtij faktori në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të periudhës së Rilindjes kanë qenë, me ndonjë përjashtim, me rrjedhoja negative për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e mori nën sqetull çështjen shqiptare dhe nuk u angazhua për zgjidhjen e saj. Ky qëndrim mospërfillës, madje edhe opozitar i shteteve evropiane ndaj çështjes kombëtare shqiptare, që do të vazhdonte edhe pas Rilindjes, ndonëse ka qenë diktuar nga interesat e tyre të njohur politikë dhe strategjikë në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, si edhe nga synimi për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet tyre, ka qenë përcaktuar edhe nën ndikimin e faktorit fetar. Dihet se afria e besimit fetar ka nxitur jo vetëm Rusinë, ku identifikimi populist i kombit me fenë ishte më i spikatur (“rus” kishte kuptimin “kristian” - i krishterë), por edhe Fuqitë e tjera të Mëdha evropiane të përkrahnin lëvizjen kombëtare të popujve të krishterë të Ballkanit. Ndërkaq, lëvizja kombëtare e popullit shqiptar, shumica e të cilit i përkiste fesë myslimane, përgjithësisht nuk ka gëzuar një përkrahje të tillë edhe kur ka përjetuar kulmet e saj, madje të atilla që rrallë mund të ndeshen edhe në vendet e tjera të Ballkanit, siç kanë qenë periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) dhe ajo e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912.
Politika ekspanioniste e faktorit ndërkombëtar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Por edhe Fuqitë e Mëdha, ndonëse përgjithësisht i sinkronizonin veprimet e tyre kur ndërhynin në Perandorinë Osmane dhe posaçërisht në Shqipëri, nuk kanë mbajtur gjithnjë e të gjitha të njëjtin qëndrim ndaj çështjes shqiptare. Janë të njohura sidomos qëndrimet e veçanta të Austro-Hungarisë, e cila, edhe pse kur ishte fjala për ndërhyrjet në Perandorinë Osmane vepronte si një nga gjymtyrët më të rëndësishme të koncertit të shteteve evropiane, punonte njëherazi për të nxitur zhvillimin kulturor të shqiptarëve, që e shihte si një mjet për forcimin tek ata të ndjenjave kombëtare. Kjo politikë diktohej, pa dyshim, nga interesat e saj ekonomikë e politikë në Shqipëri, si vend me një pozicion të rëndësishëm në Adriatik, nga synimi i Vjenës për të shfrytëzuar për këta interesa Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në pragun dhe sidomos gjatë luftërave ballkanike (1912-1913) Austro-Hungaria nisi të përkrahte në fillim idenë e vendosjes së një administrimi autonom në Shqipëri e më pas, në periudhën e përgatitjes së Shpalljes së Pavarësisë, atë të një shteti kombëtar shqiptar.
Ndërhyrja e faktorit të jashtëm në çështjen shqiptare ka qenë e shumëfishtë: krahas Fuqive të Mëdha në lëvizjen shqiptare ndërhynin jo vetëm me mjete propagandistike e diplomatike, por edhe me agresionin e hapur ushtarak, edhe shtetet fqinje (Serbia, Greqia dhe Mali i Zi). Duke filluar nga vitet 30 të shek. XIX, këto shtete ndiqnin një politikë ekspansioniste për pushtimin e tokave shqiptare. Në këto kushte Rilindja Shqiptare u detyrua ta drejtonte tehun e luftës njëherësh në dy fronte: kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar dhe kundër lakmive shoviniste të shteteve fqinje, të cilat përkraheshin nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Lufta në dy fronte, me dy objektiva, përbënte një veçori të lëvizjes shqiptare të epokës së Rilindjes, e cila e bënte atë të dallohej nga lufta që zhvilluan kombet e tjera të Ballkanit në shek. XIX. Megjithatë, kjo veçori nuk i përjashtoi aspak shqiptarët e lëvizjen e tyre kombëtare nga fronti i përbashkët i qëndresës së popujve të Ballkanit kundër zgjedhës shekullore osmane, gjatë së cilës u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar me popujt fqinj të Gadishullit Ballkanik dhe dhanë një kontribut të çmuar.
Pasojat e ndërhyrjeve të jashtme Shqipëria i ndjeu tepër rëndë. Brenda 40 vjetëve të fundit para Shpalljes së Pavarësisë (1912), Fuqitë e Mëdha dhe sidomos shtetet fqinje ballkanike, që përkraheshin prej tyre, ndërhynë, madje edhe me mjete ushtarake, dy herë në çështjen shqiptare: në vitet 1878-1881, kur iu kundërvunë Lidhjes së Prizrenit dhe kërkesave të vazhdueshme të saj për një shtet autonom shqiptar dhe kur me vendimet e Kongresit të Berlinit gjymtuan rëndë territoret shqiptare, si dhe më 1912-1913, kur edhe pse e njohën shtetin e pavarur, të porsashpallur shqiptar, i shkëputën atij më shumë se gjysmën e territoreve dhe të popullsisë, që ua aneksuan shteteve fqinje.
Fazat e rilindjes shqiptare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Fazat e Rilindjes Shqiptare
Epoka e Rilindjes dhe lëvizja kombëtare që u zhvillua gjatë saj përbëjnë një proces unik e tërësor. Megjithatë, sikurse është pranuar në historiografinë shqiptare, ajo ndahet në katër periudha
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Library of Congress Country Study of Albania
- Blumi, Isa (2011). Reinstating the Ottomans, Alternative Balkan Modernities: 1800–1912. New York: Palgrave MacMillan. ISBN 9780230119086.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania. Lanham, Maryland: Scarecrow Press (The Rowman & Littlefield Publishing Group Incorporated). ISBN 978-0-8108-6188-6.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Clayer, Nathalie (2005). "Le meurtre du prêtre: Acte fondateur de la mobilisation nationaliste albanaise à l'aube de la révolution Jeune Turque [The murder of the priest: Founding act of the Albanian nationalist mobilisation on the eve of the Young Turks revolution]". Balkanologie. IX (1–2).
{{cite journal}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Clayer, Nathalie (2007). Aux origines du nationalisme albanais: La naissance d'une nation majoritairement musulmane en Europe [The origins of Albanian nationalism: The birth of a predominantly Muslim nation in Europe]. Paris: Karthala. ISBN 9782845868168.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913. London: IB Tauris. ISBN 9781845112875.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Mazower, Mark (2000). The Balkans: A Short History. Modern Library Chronicles. New York: Random House. ISBN 0-679-64087-8.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Schwandner-Sievers and Fischer (eds.), Albanian Identities: Myth and History, Indiana University Press (2002), ISBN 0-253-21570-6.
- Sette, Alessandro. "L'Albania nella strategia diplomatica italiana (1871-1915)", Nuova Rivista Storica, 102, I (2018): 321-378.
- Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening. Princeton: Princeton University Press. ISBN 9781400847761.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)