Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2019/37
Gonzalo Gerardo Higuaín (shqiptimi spanjisht: [ɡonˈsalo iɣwaˈjin]; lindur më 10 dhjetor 1987) është një futbollist profesionist argjentinas i cili luan si sulmues për klubin anglez Çelsi në huazim nga Juventus dhe kombëtaren argjentinase.
Me pseudonimin El Pipita ose Pipa, ashtu si babai i tij Jorge, i cili ishte gjithashtu futbollist, Gonzalo Higuaín ka lindur në Francë, dhe mori shtetësinë argjentinase në vitin 2007, duke u bërë me dy shtetësi. Ai filloi karrierën e tij me klubin argjentinas River Plate, para se në janar 2007 të kalonte te klubi spanjoll Real Madrid për 12 milion €. Gjatë kohës së tij në Spanjë, Higuaín fitoi tre La Liga dhe shënoi 107 gola në 190 paraqitje. Ai u bashkua me italianët e Napolit për 40 milion € në korrik 2013, duke fituar edhe Kupën e Italisë në sezonin e parë. Në sezonin 2015–16, ai shënoi 36 gola në kampionat, duke triumfuar në çmimin Capocannoniere; përveç kësaj, ai barazoi rekordin 87 vjeçar Gino Rossettit për numrin e golave të shënuar në elitën e futbollit italian gjatë një sezoni. Falë mesatares mbreslënëse të shënimit në Napoli, kampionët e Italisë Juventus e blenë atë për 90 milion € në vitin 2016, duke u bërë lojtari amerikano jugor më i shtrenjtë i të gjitha kohërave (deri sa Neymar u transferua te PSG një vit më vonë); kjo ishte gjithashtu shifra më e lartë e paguar nga një klub italian (deri sa Juventus bleu Cristiano Ronaldon në vitin 2018) dhe gjithashtu transferimi më i shtrenjtë ndërmjet klubeve të një lige. Ai fitoi kampionatin dhe kupën në dy sezonet e para në klub, si dhe arriti edhe finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2017. Në vitin 2018, ai u huazua te Milani, kurse një vit më vonë në Angli te Çelsi.
Higuaín ka qënë një lojtar i rregullt i Argjentinës që nga viti 2009; ai ka luajtur në tre edicione të FIFA Kupës së Botës dhe tre turnamente të Copa América, duke arritur finalet e Kupës së Botës 2014, Copa América 2015 dhe Copa América Centenario një vit më vonë.