Anton Maria Xanoni, i njohur edhe si Ndoc Zanoni[1] (Durrës, 12 janar 1862 - Shkodër, 16 shkurt 1915) ka qenë jezuit, poet dhe novelist italo-shqiptar me kontribut në lëminjtë e teksteve edukative, gramatologjisë dhe publicistikës.

Anton Xanoni
U lind në(1862-01-12)12 janar 1862
Vdiq(1915-02-16)16 shkurt 1915
Kombësiaitalo-shqiptar
Profesionimisionar fetar • arsimtar

Biografia

Redakto

U lind në Durrës më 12 janar 1862, i ati Zefi ishte me prejardhje dalmatine dhe ishte piktor, ndërsa e ëma ishte shkodrane, e motra e Shan Shantojës.[2] Që kur ishte fëmijë u shpërngulën familjarisht në vendlindjen e së ëmës,[3] ku u arsimua te etërit jezuitë. Duke parë talentin e tij, e dërguan të kryente shkollën e lartë në manastirin Kartusian në Porta Coeli në veri të Valencias, në Spanjë (1883), në një institucion jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat (1884), në Kremona të Italisë (1886), dhe në Kolegjin Gregorian në Kraków) të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua prift jezuit në Krakov dhe u kthye dy vjet më pas në Shkodër për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896 dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos në Itali, para se të kthehej në Shqipëri.

Bashkë me poetin Ndre Mjeda e me të vëllanë e tij Lazrin, Xanoni ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare "Agimi", të themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me anë të një alfabeti të ri.

Ishte Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qendrim purist në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk ishte vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.

Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha të tijat apo përkthime që pëlqeheshin shumë.

Ka mbetur në histori edhe për veprat "Gramatika shqyp", Shkodër 1909, dhe "shkurtorja e historis së moçme", 1910, si dhe në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes "Rrnoftë Shqypnia", kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915 dhe çmohet si një veteran i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

  • Ungjilli i Jezu Krishtit mas Sh’Matheut, përkthim, 1915.[4]

Referime

Redakto
  1. ^ Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 486. ISBN 9781780764313.
  2. ^ Kastrati, Jup (1962). "Anton Xanoni". Shkodra (2): 85.
  3. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 67–68. ISBN 978-99927-623-4-9.
  4. ^ Paci, Evalda (2009). "Per una storia delle traduzioni in lingua albanese dalla Bibbia e da classici greci e latini". Classica et Christiana (PDF) (në anglisht). Vëll. 4/2. fq. 114. ISSN 1842-3043.