Jean Marie Maurice Schérer i njohur prej pseudonimit artistik Éric Rohmer (Tulle, Francë, 20 mars 1920-Paris, 11 janar 2010), ka qenë një regjisor, kritik filmi, gazetar, romancier, skenarist dhe profesor francez.

Éric Rohmeri në Kinematekën franceze në vitin 2004

Rohmeri ka qenë më i moshuari i kineastëve të Valës së Re franceze (La Nouvelle Vague) të fund-viteve 50. Ai prodhoi dy cikle filmash--Gjashtë rrëfenja morale (Six contes moraux) dhe Rrëfenja të katër stinëve (Contes des quatres saisons), dy përshtatje pjesësh letrare në film, dhe një film historik, Persevali gal (Perceval le Gaullois).[1]

Tre prej filmave të ciklit të tij moral, Nata ime tek Modi (Ma nuit chez Maude)[2], Gjuri i Klerës (Le genoux de Claire) dhe Dashuria pasdite (L'amour l'apres-midi) kanë qenë ndër filmat më të diskutuar të viteve 60-70 dhe kanë fituar atributet e fimit klasik.

Rohmeri njihet për stil të veçantë—personazhet e tij angazhohen shpesh në biseda të gjata 'të pastrukturuara' dhe në dukje shpesh pa lidhje me fabulën e filmit. Gjithashtu, ai njihej edhe si regjisor që arriti të bëhej i pasur me të ardhurat nga filmat e tij, sepse pavarësisht se nuk ishin blockbusters, buxheti i tyre ishte gjithashtu shumë i ulët gjë që i nxirrte ato sipërmarrje me fitim.

Jean Douchet, një përfaqësues tjetër i Valës së Re, e pati quajtur Rohmerin romancier të shekullit të tetëmbëdhjetë të sjellë në kohën e kinematografisë.

Referime

Redakto
  1. ^ Eric Rohmer for beginners, në sitin e Institutit të Filmit Britanik (në anglisht)
  2. ^ Tony Judt, Paris Was Yesterday, New York Review of Books, 11 mars 2010.